Manastiri i Fjetjes se Hyjlindeses Mari ne Boboshtice, Korce

Albania

Προτεινόμενοι Προορισμοί:

Fshati Boboshticë ndodhet rreth 10 kilometra në jug të qytetit të Korçës. Është i njohur për pasuritë natyrore, thesaret historike dhe kulturore, kuzhinën tradicionale, produktet bujqësore, si dhe për kishat e tij të shumta e të bukura.
Manastiri i Fjetjes së Hyjlindëses ngrihet mbi një kodër, në skajin jugor të rrugës kryesore të fshatit. Data e saktë e ndërtimit të manastirit nuk dihet, por ka të ngjarë që në këtë zonë të ketë pasur një manastir me një prani rreth njëshekullore. Nga manastiri i vjetër kishte mbijetuar një godinë e vogël me qelitë e murgjve dhe kisha e thjeshtë e tipit bazilikal njënefësh. Gjatë periudhës së persekutimit ateist, godina e qelive u përdor si depo, ndërsa kisha si stallë bagëtish.
Sipas burimeve historike, kisha e vjetër kishte dy faza ndërtimi. Faza e hershme përfshinte absidën e hijerores dhe një pjesë të murit verior, rreth 1.5 metra të lartë. Më vonë, mbi elementet ekzistuese u ndërtuan muret perimetrike dhe kisha u mbulua me çati triujëse me një strehë të vogël në hyrjen perëndimore. Kisha nuk kishte elemente të veçanta arkitektonike dhe ishte tejet e amortizuar. Ndërtimi i mureve të fazës së dytë ishte i dobët dhe paraqiste dëmtime serioze në elementet mbajtëse të çatisë, të cilat rrezikonin shembjen e ndërtesës.


Manastiri i Fjetjes së Hyjlindëses Mari ishte një nga vendet e para ku rinisi adhurimi fetar pas rënies së regjimit komunist në vitin 1990. Për t’i dhënë jetë manastirit, në vitin 2005 dhe 2006, godina e amortizuar e qelive u shemb dhe në vend të saj u ngrit një ndërtesë e re katërkatëshe, me të njëjtin funksion. Godina e re përmban një kishë të vogël për kryerjen e shërbesave të përditshme, mjediset e mikpritjes (arkondariki) dhe akomodimit, si dhe hapësira për instalimin e pajisjeve mekanike.
Në vitin 2014, kisha e vjetër u shkatërrua, por absida e hijerores u ruajt, për t’u integruar në godinën e kishës së re qendrore të manastirit. Ndërtimi i kishës së re përfundoi në vitin 2019. Kisha e re është e tipit me çati në formë kryqi me kupolë, me kambanore të sheshtë mbi murin perëndimor dhe hajat perimetrik, ana veriore e të cilit përfundon në absidën e hijerores së kishës së vjetër. Rrethimi i oborrit të manastirit është bërë me mur guri. Pranë portës hyrëse të manastirit lartësohet kulla e pavarur e kambanores, me lartësi 12 metra. Zonat e mbjella me pemë rreth perimetrit të kompleksit i përkasin manastirit dhe janë zhvilluar si një oborr i jashtëm i rrethuar përtej oborrit të brendshëm.
Në ditën e kremtimit të Fjetjes së Hyjlindëses Mari, më 15 Gusht, në manastir organizohet një panair i madh festiv tradicional, me pjesëmarrjen e shumë besimtarëve nga i gjithë vendi.

GALLERY


ACCESS MAP

Click to listen highlighted text!