Manastiri i Shën Gjergjit ndodhet në zonën e gadishullit të Ksamilit, përballë ishullit të Korfuzit. I vendosur në jug të qytetit të Sarandës, në hapësirën që shtrihet nga vendbanimi i Çukës deri në Detin Jon, manastiri dikur ishte ndërtesa e vetme në zonë. Me kalimin e kohës dhe zhvillimin urban të tri dekadave të fundit, zona ka ndryshuar ndjeshëm formë dhe karakter.
Gjetjet arkeologjike në zonë dëshmojnë për ekzistencën e një muri antik, ndoshta pjesë e sistemit fortifikues të qytetit antik të Butrintit, që ndodhet në distancë relativisht të shkurtër. Nuk përjashtohet mundësia që muri të kishte kullë dhe të përfundonte në një port të vogël në det, prej nga vjen dhe emri i vendit Dema (lidhje, ankorim).
Manastiri i Shën Gjergjit përmendet në burimet historike që në shek. XVII. Disa prej tyre i referohen donacioneve bujare të manastirit për realizimin e veprave publike, siç ishte ndërtimi i shkollave. Gjithashtu, nga përshtypjet e lëna me shkrim të udhëtarëve, gjejmë informacione për gjendjen dhe veprimtarinë e manastirit gjatë periudhës osmane, si dhe për mënyrën e komunikimit me zonën e prapatokës. Një vend të veçantë mes tyre zë përshkrimi i arkeologut anglez N. G. L. Hammond, i cili e vizitoi manastirin në vitin 1936, si pjesë e studimeve të tij për periudhën antike të zonës.
Manastiri rrethohet me mur të lartë guri, tek i cili janë hapur shumë frëngji për mbrojtje. Përveç kishës, brenda oborrit ekzistojnë edhe ndërtesa të tjera, si godina e igumenit në këndin juglindor. Kjo është një ndërtesë dykatëshe, dy nivelet e së cilës komunikojnë me një shkallë të jashtme guri në anën perëndimore. Karshi godinës së igumenit, në anën jugperëndimore të oborrit ndodhet një ndërtesë e gjatë dykatëshe, në formë këndore. Bëhet fjalë për godinën që i shërbente nevojave të komunitetit të murgjve dhe strehonte trapezarinë, qelitë e murgjve dhe disa dhoma për pelegrinët. Në qoshen veriperëndimore të kishës ekziston një rezervuar nëntokësor uji, i cili furnizohet përmes një sistemi origjinal për mbledhjen e ujit të shiut nga çatia e kishës. Brenda dhe jashtë manastirit ka gjurmë të dukshme të godinave të tjera të rrënuara.
Si në të gjitha manastiret orthodhokse, ndërtesa kryesore është kisha ose ndryshe katholikoni i manastirit, i cili i kushtohet Shën Gjergjit. Kisha përbëhet nga dy pjesë, kisha kryesore (naosi) dhe narteksi, një hapësirë e gjerë, e shtruar më vonë në anën perëndimore. Muret perimetrike të kishës janë ndërtuar ekskluzivisht me gurë dhe çatia është e mbuluar me rrasa guri të zonës. Kambanorja lartësohet mbi murin perëndimor të narteksit. Ajo është shtesë e mëvonshme, e ndërtuar me gurë gëlqerorë të zonës me të njëjtën teknikë si pjesa tjetër e ndërtesës.
Kur hyjmë në kishë, fillimisht përshkojmë narteksin e thjeshtë dhe të gjerë. Nga aty, përmes një hyrjeje relativisht të ngushtë dhe të harkuar të murit lindor, drejtohemi për në zonën e naosit. Naosi është një hapësirë thuajse katrore që kufizohet me Hijeroren në lindje nga një ikonostas i ndërtuar muri, i cili komunikon me pjesën tjetër të hapësirës me tri porta harkore. Në thellimet e vogla të fasadës së ikonostasit ekziston skena e madhe e Deisis, për fat të keq, me dëmtime të shumta. Skena përbëhet nga dymbëdhjetë Apostujt, të cilët janë vendosur në të majtë dhe të djathtë të figurës qendrore të Krishtit, të ndarë në dy grupe me nga gjashtë.
Në qendër të naosit lartësohet kupola, me veçori arkitekturore mjaft interesante. Plani i tamburit të kupolës, në pjesën e jashtme ka formën e një strukture të mysët dhjetëfaqëshe, ndërsa nga brenda zhvillohet në lartësi me tri nivele. Nëse qëndrojmë poshtë kupolës dhe shikojmë drejt saj, do të dallojmë dy rombe të njëpasnjëshme që formohen nga alternimi gradual i trekëndëshave sferikë dhe konkave të vogla. Këto rombe kanë brinjë të mysëta nga brenda dhe përfundojnë në sipërfaqen e harkuar të kupolës, ku tradicionalisht pikturohet paraqitja e Krishtit Pantokrator. Në këtë mënyrë, krijohen sipërfaqe interesante për pikturimin e personazheve të Dhiatës së Vjetër, engjëjve, gjashtëkrahëshve etj. Në nivelin e fundit më të lartë, katër vrima të ngushta, të vendosura karshi njëra-tjetrës, ndihmojnë në ajrosjen e brendshme të kishës dhe lejojnë hyrjen e rrezeve të diellit, të cilat krijojnë një kryq drite.
Piktura murale e kishës, aty ku ka shpëtuar, është dëmtuar rëndë dhe, me gjithë punimet e restaurimit, fytyrat dhe kompozimet e skenave nuk dallohen qartë.
Në vitet e regjimit ateist, manastiri ishte shndërruar në bazë ushtarake për ruajtjen e zonës kufitare detare dhe mbrojtjen ajrore. Pas punimeve të plota restauruese, të kryera nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë në vitet 2006-2010, manastiri është kthyer në gjendjen e tij të dikurshme dhe sot është një vend i rëndësishëm pelegrinazhi.