Kisha e Taksiarkeve te Medhenj,Bodrishte

Albania

Προτεινόμενοι Προορισμοί:

Bodrishta është një nga fshatrat më të mëdha të Luginës së Dropullit, me prani të lartë të minoritetit etnik grek. Fshati shtrihet pranë qendrës historike të Mitropolisë së Drinopojës. Gjetjet arkeologjike dëshmojnë për ekzistencën e një vendbanimi të organizuar që nga periudha helenistike. Gjatë periudhës së vonë bizantine dhe në kohët e mëvonshme, komunitetet e vogla të zonës u lidhën me qendra të mëdha urbane në lindje dhe në perëndim, gjë që solli zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të shoqërive rajonale të Perandorisë Osmane. Në të gjithë zonën përreth u ndërtuan shumë kisha dhe manastire pasbizantine, të pranishme edhe sot, duke dëshmuar zhvillimin e asaj periudhe.
Kisha e Taksiarkëve të Mëdhenj ndodhet në qendër të fshatit Bodrishtë, brenda një zone të rrethuar plot gjelbërim. Në qoshen veriperëndimore, si vazhdim i ndërtesës gjendet hajati i mbuluar, me harkadë të hapur në anën perëndimore. Nëse dikush vëzhgon me kujdes oborrin, do të kuptojë se, përveç ndërtesave që janë të dukshme sot, atje kanë ekzistuar më parë edhe ndërtesa të tjera. E tillë ishte kishëza kushtuar Shën Athanasit, e cila, për fat të keq, është shkatërruar plotësisht. Disa varre familjare, që ngrihen hijerëndë në anën jugperëndimore të kompleksit brenda rrethimit, dëshmojnë për funksionin e mëparshëm të vendit.
Kisha e Taksiarkëve të Mëdhenj u ndërtua gjatë viteve 1778-1780 dhe bën pjesë në listën e kishave që ndërtoi apo meremetoi episkopi Dosithe. Sipas traditës, ajo është ndërtuar dhe pikturuar me shpenzimet dhe kujdesin e komunitetit lokal. Kisha i përket tipit bazilikal trenefësh, me çati dyujëse të mbuluar me rrasa guri, karakteristike për llojin specifik arkitektonik. Në anën perëndimore, ku ndodhet hyrja fillestare e kishës, lartësohet një kambanore në tri nivele, me dritare të harkuara me një dhe dy lobe, shembull tipik i arkitekturës epirote të kambanoreve në trajtë kulle. Së fundi, jashtë murit rrethues të oborrit, në anën perëndimore, në distancë të shkurtër nga kisha, ekziston një faltore e vogël që përkujton vizitën e Shën Kozmait të Etolisë në fshatin Bodrishtë, në një nga udhëtimet e tij, me shumë gjasa në vitin 1777.

Në interierin e saj kisha zhvillohet e ndarë në tri nefe, të cilat formohen nga kolona të dyfishta, të lidhura me një sistem harqesh në të dyja anët e nefit qendror. Qemerët e vegjël dhe trekëndësha sferikë krijojnë në çati, kryesisht mbi nefin qendror, një sistem interesant e të ndërlikuar mbulese. Narteksi zhvillohet në anën perëndimore si një ndërtim i mëvonshëm, i cili, me sa duket, funksiononte si gjinekonit me dritare të mbyllura me kafaze të rrjetëzuara, me pamje nga nefet anësore. Në anën veriore gjendet portiku i hyrjes në kishë.
Braktisja për shumë kohë dhe lëvizjet e tokës i kanë shkaktuar kishës dëmtime të konsiderueshme në themele, muraturë dhe pikturën murale. Për shkak të gjendjes së rënduar, mbishkrimet në interierin e kishës, fatkeqësisht, nuk ofrojnë të dhëna lidhur me ndërtuesit ktitorë, dhuruesit apo piktorët e saj. Fatmirësisht, ka shpëtuar pjesa më e madhe e programit origjinal të pikturës murale, e shtrirë në sipërfaqet e brendshme të mureve të naosit. Në zonën e sipërme, gjenden të pikturuara skena dhe personazhe nga Dhiata e Re dhe e Vjetër, ndërsa në zonat më të ulëta radhiten shenjtorët, të paraqitur bust brenda medaljoneve dhe në nivelet më të ulëta shenjtorët paraqiten me shtat të plotë. Në muret e Hijerores, në anën lindore, ndeshen ndoshta shembujt më mirë të ruajtur të dekorimit ikonografik. Në absidën e Blatës (Prothesis), në të majtë të Hijerores, gjenden mbishkrime murale, në formën e një diptiku, me emrat e banorëve të gjallë dhe të fjetur të Bodrishtës, që nga koha e ndërtimit të kishës si qendër e famullisë.
Për shkak të vjedhjeve të përsëritura, kisha u zhvesh nga një pjesë e ikonave të vyera të lëvizshme dhe dekorimi i gdhendur në dru, vetëm ikonostasi mundi të mbijetojë pjesërisht deri sot. Pjesët e vjedhura nga ikonostasi i vjetër u plotësuan për të kompensuar elementet që mungonin.
Që nga koha e ndërtimit të saj e deri në vitin 1967 kisha ka funksionuar normalisht, duke shërbyer edhe si kishë e varrezave pranë saj. Gjatë regjimit ateist kisha u shndërrua në depo për rreth 20 vjet. Këtë e dëshmojnë edhe shënimet e priftit të kohës në faqet e Ungjillit të kishës. Pas përmbysjes së regjimit ateist, gjatë viteve 2000-2010, nën kujdesin e Kryepiskopit Anastas, u realizuan punime të plota restauruese të kishës.

GALLERY


ACCESS MAP

Click to listen highlighted text!