Kisha e hirshme e Shën Nikollës, Agora, Janinë

Greece

Προτεινόμενοι Προορισμοί:

Eleni Mihu, arkeologe

Kisha “Shën Nikolla” e Agorasë ndodhet në Janinë, në rrugën e sotme “Haxhikonsta”, në qendrën historike të qytetit. Kisha ka ekzistuar që në fillim të shek. XVII, sipas një dokumenti të korrikut 1628, si dhe të një shënimi përkujtimor në librin e mujorit të korrikut të kishës së Shën Nikollës, Kopanon, ku përmendet se më 19 shkurt 1630 djali i Rexhep agës shkatërroi kishën e Shën Nikollës së Agorasë. Deri më 2 dhjetor 1647, kisha nuk ishte rindërtuar. Ajo përmendet përsëri në mars 1749, por përsëri nuk bëhet e ditur viti i saktë i ringritjes së saj. I vetmi fakt i sigurt është se kisha u rindërtua midis viteve 1647-1749. Ajo u shkatërrua sërish gjatë përleshjeve të përgjakshme midis Ali Pashës dhe Hurshit Pashës, dhe shkatërrimit të Janinës në vitin 1822 nga trupat e sulltanit. Rindërtimi i dytë, që i dha kishës pamjen e sotme, filloi në vitin 1837, me donacionet e vëllezërve Zosima dhe të G. Haxhokonstas, i cili ndërtoi edhe spitalin atje pranë dhe përmbylli punimet e kishës në vitin 1842. Ndërkaq, të pakta janë informacionet për historinë e kishës pas përfundimit të punimeve për rindërtimin e saj.
“Shën Nikolla” e Agorasë është një kishë e madhe e tipit bazilikal me tri nefe, me çati druri dhe me absidë shtatëfaqëshe në anën lindore. Çatia e ngritur mbështetet në dy kolonadat e brendshme, me nga pesë kolona guri secila, që ndajnë nefet. Në anën veriore dhe perëndimore, kisha është e rrethuar nga hajati në formë “U”-je, që qëndron i mbështetur në kolona katërkëndëshe. Në të gjithë shtrirjen e tij, hajati përbëhet nga dy kate, me katin e dytë të hapur nga ana e brendshme e kishës, i cili funksionon edhe si galeri e brendshme. Lidhja e kishës me galerinë realizohet përmes shkallëve të jashtme, të ndërtuara në anën veriore dhe jugore. Në fund të galerisë veriore, është trajtuar një kishëz kushtuar Shën Elefterit. Mbi hyrjen e oborrit të kishës në anën jugore, lartësohet kambanorja dykatëshe.
Kisha mban në interierin e saj shtrirje të kufizuar të pikturës murale, sikundër ngjet edhe në kishat e tjera bashkëkohëse të qytetit. Për dekorimin e kishës janë përzgjedhur pjesët më të rëndësishme për nga pikëpamja e mesazhit teologjik, siç janë konkat e hijerores dhe kupola qendrore në mes të tavanit. Në vend të kupolës paraqitet Krishti Pantokrator (i Gjithëpushtetshëm), i rrethuar me nga engjëj dhe profetë. Në hapësirat e mureve midis dritareve shfaqen të pikturuar shenjtorë me pamje të plotë. Në frontonët anësorë janë pikturuar skena të veçuara, të cilat nuk janë pjesë e një grupi të vetëm ikonografik, por janë paraqitje të mëvetësishme temash fetare, sipas dëshirave të donatorëve të veçantë. I gjithë trajtimi ikonografik i kishës pasqyron ndikimin e ngadaltë, por gradual të artit perëndimor, me elementë të fortë barokë, por edhe të piktorëve Nazarenë, në formimin e pikturës fetare në një qendër urbane, siç ishte Janina, gjatë kësaj periudhe.
Në kishë ruhen ikona dhe objekte me origjinë ruse, shumë prej të cilave janë dhuruar nga Haxhikonsta në vitin 1841, të tilla si ikonat despotike, të ndikuara fuqishëm nga stili i piktorëve Nazarenë.
Sjellja në kishë e ikonave të atelieve ruse të kohës është e lidhur ngushtë me personalitetin e donatorëve, të cilët ishin anëtarë aktivë të komunitetit greko-rus të shek. XIX.

GALLERY


ACCESS MAP

Click to listen highlighted text!