Eleni Mihu, arkeologe
Manastiri i hirshëm “Shën Nikolla” i Filantropinëve ose i Spanuve, një monument “stacion” falë afreskut integral imponues, ndodhet në një nivel të ngritur, në qoshen jugperëndimore të zonës së banuar të ishullit të Janinës. Është themeluar nga dega epirote e familjes bizantine kostandinopolitane të Filantropinëve, të cilët u vendosën në Janinë pas pushtimit të Kostandinopojës nga Kryqtarët, në vitin 1204. Në vitin 1291/2, Mihal Filantropini e ringriti nga themelet ose e rinovoi rrënjësisht manastirin, i cili ekzistonte i strukturuar në ishull që në shek. XIII-XIV. Manastiri përjetoi një lulëzim të veçantë në shek. XVI, kur, me nismën e igumenëve Neofit dhe kryesisht Joasaf Filontropinit, katholikoni i tij u rinovua, u zgjerua dhe u pikturua. Në shekujt pasues, manastiri vijoi të kishte një shkëlqim të veçantë shpirtëror në zonë dhe gjatë gjithë veprimtarisë së tij ruajti marrëdhënie të drejtpërdrejta me qytetin e Janinës. Kohë pas kohe manastiri ka pasur një përkrahje të rëndësishme me anë të donacioneve që jepnin mërgimtarët janinjotë, si Zotos dhe Apostolos Cigaras, tregtarë të vendosur në Venecia, apo nga familja Spanu, me të cilët u lidh më vonë. Për këtë arsye shpeshherë manastiri përmendet edhe si manastiri i Shën Nikollës “së Spanuve”.
Një pjesë e vogël nga faza bizantine e kompleksit është ende e dukshme sot. Katholikoni, ndërtesa më e vjetër e kompleksit, në fillim ishte një kishë njënefëshe me çati druri dhe absidë gjysmërrethore në lindje. Përbëhej nga naosi me hijeroren dhe narteksin, të cilat qarkoheshin nga tre ekzonarteksë me sipërfaqe jo të barabartë. Forma aktuale e katholikonit është rezultat i ndërhyrjeve të gjera, të ndërmarra nga Joasaf Filantropini në dy faza të njëpasnjëshme, më 1542, me zëvendësimin e çatisë prej druri me një qemer gjysmëcilindrik të zgjatur, dhe më 1560, kur forma e saj fillestare u rrethua nga të tria anët, në veri, jug dhe perëndim, me ekzonarteksë me qemerë.
Interieri i katholikonit u zbukurua me pikturë të mrekullueshme murale, e përbërë nga qindra paraqitje dhe figura shenjtorësh, e cila u ekzekutua në tri faza të ndryshme kohore. Piktura e fazës së parë mbulon pjesën e poshtme të mureve të naosit dhe i takon periudhës së viteve 1531/2, përpara ristrukturimit të kishës. Në fazën e dytë, që i takon vitit 1542, u pikturua kupola e re e kishës dhe narteksi (lite) me ndikime nga piktori i shquar nga Thiva, Franko Katelani apo edhe me praninë e tij. Së fundi, gjatë fazës së tretë, në vitin 1560, u pikturuan tre ekzonarteksët e katholikonit nga vëllezërit piktorë, gjithashtu nga Thiva, Jeorgj dhe Franko Kontari. Këto afreske përbëjnë një nga veprat kulmore të së ashtuquajturës “Shkolla e Greqisë Veriperëndimore”, një pikë referimi për studimin e kësaj lëvizjeje artistike, si edhe një model udhërrëfyes ikonografik për shumë piktorë të mëvonshëm.
Programi ikonografik i kishës përmban, sipas sektorëve të organizuar në cikle, historinë e Krishtit dhe të së Tërëshenjtës Mari, martirizime shenjtorësh, jetën e Shën Nikollës dhe skena të tjera nga kalendari mujor, histori nga Dhiata e Vjetër, shfaqje hyjnore dhe vizione, skena eukaristike dhe simbolike, Gjykimin e Fundit, shenjtorë të Kishës, të vendosur sipas rendit hierarkik, si dhe të urtët helenë.
Piktura murale e manastirit të Filantropinëve, me pasurinë e saj të paarritshme ikonografike dhe origjinalitetin e strukturimit, është, ndoshta, dekorimi më ambicioz i pikturimit të një kishe, që na ka lënë arti i periudhës së lulëzimit të shek. XVI, duke e bërë atë një monument të rrallë dhe të patejkalueshëm për llojin, që ruan njohuritë për kohën.