Manastiri i Fjetjes se Hyjlindeses Mari,Kosine

Albania

Προτεινόμενοι Προορισμοί:

Kosina është një vendbanim historik pranë qytetit të Përmetit. Ajo shtrihet në pjesën e sipërme të luginës së Vjosës, pranë njërit prej parqeve më të rëndësishme kombëtare në vend, “Bredhi i Hotovës-Dangëlli”. Vendbanimi ndodhet rreth 35 kilometra nga pika e kalimit kufitar grek të Merxhanit (Tri Urat), në fund të fushës së Konicës dhe në distancë të njëjtë nga Manastiri i Shenjtë i Shën Marisë Molivdhoskepastit. Në zonën më të gjerë ekziston një prani e konfirmuar vendbanimesh që nga periudha e Antikitetit, të tilla si Bylisi, Apolonia dhe Amantia, qytete antike të ndërtuara në pjesën e poshtme të lumit Vjosa, gjatë rrjedhës së tij me derdhje në Adriatik.
Manastiri i Fjetjes së Hyjlindëses ndodhet në skajin jugperëndimor të fshatit Kosinë, në një pozicion të dukshëm, mbi kodër, i rrethuar me mur të ulët guri. Nga kompleksi i manastirit sot ekziston vetëm kisha qendrore (katholikoni), e cila, me arkitekturën saj të mrekullueshme, përbën një shembull të vogël të madhështisë së dikurshme të manastirit. Sipas burimeve historike dhe dëshmive gojore, manastiri ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën shpirtërore dhe shoqërore të zonës. Gjatë periudhës së pushtimit osman, në qoshen e tij veriperëndimore ka funksionuar një shkollë në greqisht, deri në mes të viteve 1930.
Kisha e Fjetjes së Hyjlindëses, ndërtim i shek. XII-XIII, dikur ka qenë kisha qendrore e manastirit, që, siç u përmend më lart, nuk ekziston më. Ajo është e tipit në formë kryqi të brendashkruar me kupolë, me muraturë me gurë të qarkuar me tulla, me dekoracione me qeramikë, me çati në shumë nivele të mbuluar me tjegulla të kuqe qeramike dhe me dekoracione të dhëmbëzuara në brezin e kupolës. Nga pikëpamja arkitektonike, ajo paraqet elemente të ngjashme me kishën e Lindjes së Hyjlindëses në Peshkëpinë e Sipërme të Dropullit, por me dekoracione të jashtme më të pasura.

Hyrja në kishë bëhet përmes një dere në anën perëndimore, ndërsa dy dyert anësore të nefit tërthor, përkatësisht në veri dhe në jug, përdoren vetëm për ajrimin e brendshëm. Narteksi, që zhvillohet në anën perëndimore, nga jashtë duket si një nef i parmë i tërthortë, që shkon paralel me nefin tërthor të naosit. Ndryshe nga çatia dyujëse e naosit, narteksi është i mbuluar me qemer cilindrik, një element që nuk haset shpesh në ndërtesa të ngjashme të së njëjtës periudhë dhe i jep karakter mjaft interesant kësaj ndërtese relativisht të vogël.
Hapësira e brendshme qendrore e kishës dominohet nga lartësia e boshtit vertikal të kupolës, nga ku hyn drita përmes katër dritareve të harkuara, të vendosura përkarshi në timbanin e saj. Fillimisht, kupola mbështetej mbi katër kolona, të cilat më pas u kthyen në shtylla masive. Brenda së njëjtës logjikë, me qëllim balancimin e peshës së përgjithshme të ndërtesës, muri në anën perëndimore të naosit u përforcua, duke përftuar trashësi më të madhe se pjesa tjetër.
Në anën lindore gjendet absida trefaqëshe e Hijerores, me harkada të verbra në të dyja faqet anësore. Në faqen qendrore ekziston një dritare karakteristike, e cila ka formë të dyfishtë. Nga brenda, ajo ka pamjen e një dritareje me një harkadë, ndërsa në anën e jashtme ka pamjen e një dritareje dylobëshe, me kolonën e zakonshme ndarëse në mes.
Në interierin e kishës ruhen fragmente të pikturës murale, të realizuara në periudha të ndryshme kohore. Të paktën dy faza të ndryshme pikturimi janë të dukshme. Më e vjetra gjendet në absidën e Hijerores, në të cilën paraqiten hierarkët e shenjtë mbi vendin ku tradicionalisht vendoset sinthroni. Paraqitja e Krishtit Pantokrator në kupolën e kishës dhe katër Ungjillorët në trekëndëshat sferikë i përkasin një periudhe të mëvonshme.
Gjatë viteve të ndryshimeve politike dhe pas vitit 1967, megjithëse kisha ishte shpallur monument kulture që nga viti 1963, ajo u braktis dhe u shkatërrua gradualisht. Për këtë arsye, gjatë viteve 1996-1998 u kryen ndërhyrje të rëndësishme për të ndaluar dëmtimin e mëtejshëm dhe rehabilitimin e kishës. Punimet e plota të restaurimit përfunduan në vitin 2018, me mbikëqyrjen dhe financimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe miratimin përkatës të Ministrisë së Kulturës.

GALLERY


ACCESS MAP

Click to listen highlighted text!