Kisha e Shen Athanasit,Bularat

Albania

Προτεινόμενοι Προορισμοί:

Fshati Bularat shtrihet rrëzë Malit të Gjerë, në pjesën lindore të tij, dhe është një nga fshatrat më piktoreske të luginës së lumit Drino. Gjetjet arkeologjike të shek. III para Krishtit, si gurë peshe prej balte dhe vula, dëshmojnë për ekzistencën e një vendbanimi si dhe funksionimin e mundshëm të punishteve të qeramikës në zonë. Duke ndjekur një kurs paralel me komunitetet e tjera të rrethit të Gjirokastrës, në periudhën e vonë bizantine dhe në kohët e mëvonshme, banorët e Bularatit zhvilluan një aktivitet intensiv ekonomik, kryesisht në fushën e tregtisë. Si rezultat, në të gjithë zonën u ngrit një numër i konsiderueshëm shkollash dhe kishash.

Kisha e Shën Athanasit ngrihet në hyrjen verilindore të fshatit dhe është pjesë e një kompleksi varrezash, që daton në shek. XVI. Zona rrethohet nga një mur i ulët guri, brenda të cilit ka ekzistuar një kishë e vjetër e periudhës bizantine. Ndoshta, kisha e sotme është ndërtuar mbi themelet e kësaj kishe të vjetër. Terreni rreth kishës zhvillohet me nivele të ndryshme, të cilat lidhen me rrugë me kalldrëm. Përveç varreve të shpërndara, kompleksi përmban një hajat të mbuluar dhe një kambanore tradicionale prej guri, që lartësohet në anën e djathtë të hyrjes kryesore të oborrit të kishës. Kambanorja zhvillohet me tri nivele, me dritare të harkuara me një dhe dy lobe që alternohen respektivisht në nivelin e dytë dhe të tretë.

Ndërtesa e hajatit të mbuluar u shërben më së miri besimtarëve. Bëhet fjalë për një ndërtesë të thjeshtë, të hapur në pjesën më të madhe të anës lindore, me gjashtë harkada të mbështetura në kolona. Çatia ndjek tipin e çatisë së kishës kryesore dhe është e mbuluar me rrasa guri, karakteristikë tradicionale e zonës. Në ditët me shi, besimtarët e përdornin dhe vijojnë ta përdorin këtë hapësirë për nevoja të ndryshme kishtare, si për kryerjen e ceremonive funerale apo të lutjeve përkujtimore. Për shkak të braktisjes për një kohë të gjatë, hajati ka nevojë për mirëmbajtje dhe restaurim.

Ndërtesa më e rëndësishme e kompleksit është ajo e kishës, e cila i kushtohet kujtimit të Shën Athanasit, Patriarkut të Aleksandrisë. Kisha ndodhet karshi hyrjes, në anën veriore të zonës së rrethuar të varrezave. Për fat të keq, data e saktë e fazës së parë të ndërtimit të kishës nuk është ruajtur. Sidoqoftë, nga forma e ndërtesës dhe, kryesisht nga interieri, duket qartë se kisha ka kaluar nëpër faza të ndryshme rindërtimi dhe shtesash. Konkretisht, në anën lindore duket qartë bashkëjetesa e elementeve arkitektonike të periudhave të ndryshme, ku pjesa trekonkëshe e Hijerores i përket fazës më të hershme ndërtimore, e punuar në gur me një stil ndryshe nga pjesa tjetër. Në burimet e shkruara dhe mbishkrimet e kishës hasen data të ndryshme të ndërhyrjeve dhe rikonstruktimeve. Referimi më specifik kronologjik i takon një triptiku prej druri, ku përmendet viti 1574.

Kisha është e tipit bazilikë me tri nefe, me çati dyujëse dhe me kupolë me lartësi të ulët, e cila është shtuar më vonë, ndoshta në shek. XIX. Nefet ndahen me dy palë kolona të lidhura me harqe. Hyrja e mbuluar e kishës në anën jugore është gjithashtu interesante. Në mbulesën e nefit qendror zhvillohet një sistem kupolash, qemerësh gjysmësferikë dhe trekëndëshash sferikë, të cilët janë dekoruar me afreske që i përkasin dy fazave të ndryshme të pikturimit. Faza më e hershme shtrihet drejt lindjes, në hapësirën mbi Hijeroren. Gjurmë të pikturës murale ruhen në pjesët e mbulesës dhe në nefet anësore, por, për fat të keq, ato paraqesin dëmtime të shumta që kërkojnë ndërhyrje të ngutshme restaurimi.

Në pjesën perëndimore të kishës zhvillohet narteksi, një ndërtim i mëvonshëm, që luante gjithashtu edhe funksionet e gjinekonitit. Narteksi është i hapur, i ndarë në nefe nëpërmjet shtyllave të dyfishta dhe bashkohet me kishën, si vazhdim i saj. Në murin perëndimor të kishës dallohet qartë hapja e hyrjes fillestare. Kohët e fundit janë bërë ndërhyrje për të forcuar strukturën mbajtëse të ndërtesës dhe është rindërtuar plotësisht çatia e mbuluar me rrasa guri.

Në interierin e kishës bashkëjetojnë faza të ndryshme të pikturës murale dhe plotësime të programit ikonografik. Faza më e vjetër, siç u përmend më lart, është ruajtur në pjesën e Hijerores. Absida qendrore dhe dy absidat anësore të saj janë pikturuar me skena dhe personazhe nga Dhiata e Vjetër dhe e Re. Faza më e vonë e pikturës murale i takon fillimit të shek. XX, fragmente të së cilës ruhen në muret perimetrike jashtë Hijerores, në kupolën e nefit qendror dhe në shtyllat e narteksit.

Nga dekorimet e gdhendura në dru, ikonostasi është objekti më i vjetër i ruajtur në kishë. Mbishkrimet e ikonave të Shën Nikollës dhe të Fjetjes së Hyjlindëses përmendin datën 1827 dhe na njoftojnë se prarimi i ikonostasit dhe përgatitja e ikonave të tij është bërë nga ikonografët “prej Sudene”.

Afër kishës ndodhen Varrezat “Mbulesa e Shenjtë” e ushtarëve grekë të rënë në Luftën e Dytë Botërore, si dhe një mbishkrim guri i vitit 1777, si shenjë përkujtimore e vizitës së Shën Kozmait të Etolisë në zonë. Së fundi, Bularati mund të shërbejë si pikënisje pelegrinazhi drejt vendeve të tilla interesante, siç është Manastiri i Fjetjes së Hyjlindëses në vendin e quajtur Driano, midis Bularatit dhe Zervatit.

GALLERY


ACCESS MAP

Click to listen highlighted text!