Kisha e re Katedrale “Ngjallja e Krishtit”, Korce

Albania

Προτεινόμενοι Προορισμοί:

Qyteti i Korçës është qendra urbane më e populluar e Shqipërisë juglindore. Shtrihet në rrëzë të malit të Moravës, rreth 850 m mbi nivelin e detit, pranë luginës me të njëjtin emër, e cila është një nga më të pasurat dhe më të rëndësishmet në këtë zonë.
Dëshmitë e para historike në lidhje me vendbanimin e zonës së Korçës zënë fill që nga periudha bizantine. Sipas burimeve të shkruara, Korça përmendet si një qytet i lidhur me familjen feudale të Muzakajve (shek. XIII-XV), ardhur nga malësitë e Oparit dhe të vendosur në Berat, në fushën e Myzeqesë. Me pushtimin osman, provincat e Korçës, Kolonjës dhe Përmetit u organizuan në një njësi të veçantë administrative me qendër Korçën. Sipas regjistrimit të parë të administratës osmane të viteve 1431-1432, Korça shfaqet si një kështjellë me njëzet e gjashtë shtëpi, të gjitha të krishtera dhe me tregun e saj.
Gjatë periudhës para shek. XI dhe deri në vitin 1030, zona e Korçës nga ana kishtare varej prej Mitropolisë së Kosturit, siç dëshmohet nga diploma e artë (Krisovula) e perandorit bizantin Vasili II. Nga ana tjetër, Mitropolia e Kosturit i përkiste juridiksionit kishtar të Kryepiskopatës së Ohrit. Data e saktë e themelimit të Mitropolisë së Korçës nuk është e konfirmuar historikisht, megjithatë është e njohur se përmendja e parë e saj me titullin “Selasforit dhe Korçës”, është bërë pas vitit 1557.
Elementi i krishterë orthodhoks përbënte 2/3 e popullsisë së qytetit. Ai ishte i organizuar në komunitet dhe drejtohej nga Dhimojerondia (kryepleqësia) e përbërë prej dhjetë anëtarësh nga paria e qytetit. Jeta kulturore manifestohej në institucionet shpirtërore të qytetit, më e rëndësishmja prej të cilave ishte kisha e vjetër metropolitane e Burimit Jetëdhënës, e cila ndodhej brenda zonës së shkollave të komunitetit dhe ndërtesës së Mitropolisë.

Kisha e vjetër katedrale e Korçës “Burimi Jetëdhënës”, gjatë regjimit ateist u kthye në muze, pasi më parë iu shemb pjesa e sipërme e kishës, kupola dhe kambanoret. Këtu u mblodhën ikonat dhe objektet kishtare që arritën të shpëtonin pas prishjes së kishave në Jugun e Shqipërisë. Me rikthimin e lirisë së besimit dhe përmbysjen e regjimit ateist, salla e madhe në katin e parë të muzeut u përshtat për të funksionuar nga viti 1992 përsëri si tempull i lutjes, duke mbuluar nevojat kishtare të të krishterëve orthodhoksë.
Më pas, me kërkesë të orthodhoksëve të Korçës, filluan përpjekjet për të gjetur një tokë të përshtatshme për ndërtimin e kishës së re katedrale të qytetit. Pas shumë peripecish dhe vështirësish, falë këmbënguljes dinamike të orthodhoksëve korçarë, autoritetet shtetërore dhanë një truall me sipërfaqe të konsiderueshme në qendër të qytetit.
Më 2 gusht të vitit 1994, Kryepiskopi Anastas vendosi gurin e themelit për ndërtimin e Katedrales së re “Ngjallja e Krishtit”, e cila do të plotësonte boshllëkun e madh që la prishja e shumë kishave në këtë qytet me tradita të shquara orthodhokse. Ajo u projektua nga arkitekti Dhimitër Kristidhi nga Selaniku, ndërsa fondet për ndërtimin e saj u siguruan tërësisht nga Kryepiskopi Anastas, i cili deklaroi në atë kohë vështirësish, se “Kur na gjuajnë me gurë, ne i mbledhim ata për të ndërtuar”.
Kisha katedrale i përket tipit në formë kryqi me kupolë, disponon katër absida dhe është e rrethuar me hajat. Në dy qoshet perëndimore lartësohen dy kambanore me nga pesë kambana secila. Nga jashtë, katedralja është e veshur me gurë dhe tulla dekorative. Në katin e nëndheshëm ndodhet një kishë, pagëzimorja, salla për veprimtari të ndryshme etj. Kisha katedrale është e pajisur me ikonostas të gdhendur artistikisht në dru. Me kontributin e besimtarëve po përfundon ikonografia në të gjithë sipërfaqen e brendshme të Kishës.
Kjo vepër madhështore u shenjtërua më 7 gusht të vitit 2004 nga Kryepiskopi Anastas, me pjesëmarrjen e Hirësisë se Tij, Ignatit, Mitropolit i Beratit; Hirësisë së Tij, Joanit, Mitropolit i Korçës dhe Hirësisë së Tij, Theoklitit, Mitropolit i Follorinës.

GALLERY


ACCESS MAP

Click to listen highlighted text!