Kisha e Lindjes se Hyjlindeses Mari Brenda nje Guve Shkembore, ne Ishullin e Maligradit, ne Liqenin e Prespes se Madhe

Albania

Προτεινόμενοι Προορισμοί:

Liqeni i Prespës ndodhet 853 m mbi nivelin e detit dhe është i rrethuar nga malet Pireneje, mali Baba (Varnounta) dhe mali i Ivanit (Libaniskos). Përbëhet nga Prespa e Madhe dhe Prespa e Vogël, të cilat komunikojnë ndërmjet tyre përmes një kanali të ngushtë.
Rajoni i liqeneve të Prespës, i cili është i ndarë midis Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë Veriore, është një zonë e mbrojtur ndërkufitare, e themeluar më 2 shkurt të vitit 2000, me një Deklaratë të përbashkët të kryeministrave të të tri vendeve fqinje. Rajoni përbën një park natyror shumë të rëndësishëm, për shkak të biodiversitetit dhe specieve endemike të pranishme në të. Në të njëjtën kohë, zona e Prespës është e pasur edhe me monumente historike.
Përgjatë brigjeve të liqenit dhe të hinterlandit ekzistojnë vendbanime, kisha dhe manastire të periudhës prehistorike dhe mesjetare, si dhe guva shkëmbore me kisha të vogla bizantine, të cilat janë dekoruar në interierin e tyre me afreske të mrekullueshme. Këto shpella eremitësh vetmitarë në brigjet e Prespës datojnë nga gjysma e shek. XIII deri në mes të shek. XVI, duke konfirmuar praninë dhe vazhdimësinë e artit bizantin dhe të monasticizmit në zonë, edhe pas rënies së Kostandinopojës. Në atë kohë, zona e Prespës varej drejtpërdrejt nga kryepiskopata e Ohrit, një qendër e rëndësishme kishtare e kohës, dhe ishte në kontakt me atelie të rëndësishme të artit të shek. XIV.

Kisha e Lindjes së Hyjlindëses është ndërtuar brenda një shpelle të madhe në ishullin shkëmbor dhe të pabanuar të Maligradit, në liqenin e Prespës së Madhe, pranë fshatit Pustec. Kisha është e tipit bazilikal njënefësh, me përmasa të vogla dhe e mbuluar nga një qemer gjysmëcilindrik. Sipas mbishkrimeve të ruajtura ktitorike, kisha është ndërtuar dhe pikturuar fillimisht në vitin 1344/5 nga Bojko dhe gruaja e tij, Evdhokia, së bashku me fëmijët e tyre.
Në fazën fillestare të ndërtimit, kisha ishte një bazilikë njënefëshe, me çati të ulët. Në vitin 1368/9, gjatë sundimit të mbretit serb Vukashin, kisha u rinovua dhe u pikturua nga sundimtarit i rajonit, Qesar Novaku. Gjatë rinovimit kisha u bë më e gjatë, çatia prej druri u zëvendësua nga një qemer gjysmëcilindrik dhe u pikturua brenda dhe jashtë.
Dekorimi i brendshëm dhe i jashtëm i kishës është jashtëzakonisht interesant. Nga faza e parë (1344/5), ruhet një pjesë e vogël e afreskut në murin lindor dhe në pjesët e poshtme të murit verior dhe jugor. Piktura murale e fazës së parë shquhet për karakterin e saj kaligrafik dhe dekorativ, karakteristikat e rrepta të portreteve dhe ngjyrat e përmbajtura. Piktura murale e fazës së dytë (1368/9) mbulon pjesën tjetër të brendshme të kishës dhe shtrihet në dy zona në murin lindor dhe në tri në atë jugor, perëndimor e verior. Në fasadën perëndimore është realizuar një nga skenat më tërheqëse, ku ndërtuesi ktitor Qesar Novaku shfaqet krah gruas së tij, Kalisë, vajzës Maria dhe djalit Amiral. I njëjti hegjemon duket se ndeshet edhe në kishën bizantine të Ristozit, në Mborje të Korçës, e ndërtuar nga episkopi i Devollit, Nifoni, në vitin 1390.
Piktura murale e fazës së dytë, për sa i përket gjallërisë së kompozimeve, lëvizjes së fytyrave, ekspresivitetit të portreteve dhe dendësisë së ngjyrave, konsiderohet si shembull tipik i shkollës së artit të Rilindjes së Paleologëve të shek. XIII-XIV. Sipas vrojtimeve të prof. E. Tsigaridas, skenat e kishës së Maligradit i përkasin së njëjtës traditë ikonografike të monumenteve që janë pikturuar nga atelietë e Selanikut, të periudhës së parë të Paleologëve, me tema dhe tipare stilistike të përvetësuara nga artistët e atelieve të Kosturit gjatë gjysmës së dytë të shek. XIV dhe gjysmës së parë të shek. XV. Atelieja që ka pikturuar afresket e kishës në Maligrad, duket se është e njëjtë me atë që ka punuar në kishën e Ristozit në Mborje (1390), si dhe në kishën e Shën Athanasit në qytetin e Kosturit, e cila u ndërtua në vitin 1383/84.

GALLERY


ACCESS MAP

Click to listen highlighted text!