Kisha e hirshme “Shën Gjergji” e Negadhëve

Greece

Προτεινόμενοι Προορισμοί:

Eleni Mihu, arkeologe

Kisha e hirshme e Shën Gjergjit ngrihet në sheshin qendror të Negadhëve dhe është një nga ansamblet e fundit dhe më të rëndësishme me mure guri në Epir, në shek. XVIII. Negadhes, një fshat në Zagorinë qendrore, lulëzoi gjatë shek. XVIII, falë pasurisë së krijuar nga mërgimi i shumë banorëve në Ballkan dhe marrjes së tyre me tregti.
Kisha është një bazilikë e madhe trinefëshe, me çati druri, me narteks dhe galeri të brendshme mbi narteks që përdorej si gjinekonit dhe me hajat rrethues me kolona, fillimisht në anët veriore dhe jugore, ndërsa në mes të shek. XX u shtua edhe në pjesën perëndimore. Kisha i kushtohet tre shenjtorëve, ku në nefin verior dhe jugor nderohet Trinia e Shenjtë dhe Shën Dhimitrit respektivisht. Ajo zëvendësoi kishën e vjetër me të njëjtin emër të enorisë, ndërtim ndoshta i fillimit të shek. XVIII. Pranë kishës, në anën verilindore, gjendet kambanorja hijerëndë gjashtëkëndore, me hapje të harkuara në pjesën e sipërme të saj. Ndërtimi i kishës filloi më 2 maj 1792, ndërsa piktura murale përfundoi më 10 tetor 1795. Ktitori dhe donatori i kishës është tregtari Matthe Gjini.
Piktura murale është vepër e piktorëve kapesovitë, Joan Anagnosti dhe i biri, Anastasi, të cilët rrjedhin nga familje me tradita në pikturë. Joani është piktori më i rëndësishëm kapesovit dhe në këtë monument është ngulitur kulmi i pjekurisë së tij artistike. Nga ana tjetër, Anastasi, tashmë prej nëntë vitesh në atelienë e të atit, është bërë një piktor i aftë. Në kishën e madhe të Shën Gjergjit, piktorëve iu dha mundësia të zhvillonin një program shumë të pasur ikonografik. Kisha është e mbushur me skena të vendosura në zona, të cilat kufizohen nga shirita të kuq. Piktura murale përmban skena nga cikli kristologjik (skena nga jeta e Krishtit) dhe theomitorik (skena nga jeta e Virgjëreshës Mari), skena eukaristike dhe tema me karakter liturgjik. Në pjesën e poshtme të mureve paraqiten shenjtorë me pamje të plotë. Vlen të përmenden skenat e njëzet e katër Stancave të Himnit Akathist, të realizuara në po aq hapësira, cikli i shtatë Sinodeve Ekumenike, por edhe dy të urtët e antikitetit, Plutarku dhe Aristoteli, të paraqitur me veshjen e dijetarëve perëndimorë. Ngjyrat mbizotëruese janë e kuqja, e alternuar me jeshilen e errët, të verdhën, blunë dhe grinë në të bardhë. Përdorimi i ngjyrave në disa raste thekson simetrinë e kompozicionit.
Dy piktorët, Joani dhe Anastasi, janë jashtëzakonisht eklektikë në përzgjedhjet ikonografike. Modelet e tyre merren kryesisht në veprat e piktorëve Linotopitë të shek. XVII dhe nga tematika e pasur e monumenteve të mëdha të shek. XVI të Greqisë Veriperëndimore, të tilla si manastiri i Filantropinëve dhe kisha e Metamorfozës së Klimatiasë. Njëkohësisht, ata asimilojnë elemente organike të artit perëndimor, të pasuruar me elemente laike, zakonisht në detaje ikonografike, në përputhje me prirjet e Barokut Perëndimor, një estetikë e re, mbartës të së cilës bëhen tregtarët që e sjellin në qendrat ekonomike të shoqërisë osmane dhe evropiane të shek. XVIII. Të dy piktorët mbështeten në vlerat të qëndrueshme të traditës, por në të njëjtën kohë, perceptojnë pulsin e kohës së tyre. Përzgjedhja selektive e modeleve të tyre pasqyron kërkimet shpirtërore, teologjike dhe shoqërore të kohës dhe marrëdhëniet e ktitorëve me kulturën e Evropës Perëndimore.

GALLERY


ACCESS MAP

Click to listen highlighted text!