Eleni Mihu, arkeologe
Kisha e Metamorfozës së Shpëtimtarit ndodhet afër Klimatiasë, në veriperëndim të saj dhe është e rrethuar nga muri i ulët i oborrit. Thjeshtësia e monumentit nga jashtë bie në kontrast me dekorimin e brendshëm, i cili e rendit atë ndër ansamblet më të shquara të pikturës pasbizantine të Epirit. Mbishkrimi ktitorik na informon se kisha është ndërtuar nga themelet dhe është pikturuar në vitin 1568, edhe pse nga të dhënat e regjistrimit të vendbanimit, dihet se ajo ekzistonte tashmë që në vitin 1564. Viti 1568 i referohet pikturimit të saj nga dora e piktorit nga Thiva, Franko Kontari, dhe ndoshta edhe rinovimit të ndërtesës, ndërsa nisma për rindërtimin nga e para u ndërmor nga igumen Mitrofani.
Kisha është njënefëshe me përmasa të vogla, me qemer, absidë trefaqëshe dhe, në perëndim, me narteks të mëvonshëm, pa pikturë murale; data e ndërtimit të narteksit nuk është e njohur. Sot, hyrja në kishë bëhet nga ana perëndimore e narteksit dhe e naosit. Në veriperëndim të kishës ngrihet kambanorja, ndërtim më i ri, ndërsa në jugperëndim ruhen rrënojat e ndërtesave, nën të cilat qëndron një hapësirë e madhe me qemer me përdorim të panjohur, por sipas traditës, funksiononte si Shkollë e Fshehtë.
Kisha është dekoruar me pikturë murale të ruajtur mirë në hapësirën e naosit dhe të hijerores, ku paraqiten tema nga cikli eukaristik, kristologjik dhe theomitorik. Në hijerore spikasin skenat e Ngjitjes së Zotit në Qiej dhe ajo e Liturgjisë Hyjnore, ndërsa në naos, në qendër të qemerit, dominon Krishti Pantokrator (i Gjithëpushtetshëm), rreth të cilit është organizuar programi ikonografik. Në murin perëndimor veçon skena me shumë personazhe e Kryqëzimit të Krishtit dhe në murin verior tema jashtëzakonisht e rrallë dhe interesante “Ngrihuni, o dyer”, e njohur nga atelieja e Kontaridhëve. Programi ikonografik dhe interpretimi i temave të kishës zbulojnë afrimitetin dhe marrëdhëniet shumëplanëshe me ato të kishave të Shën Dhimitrit të Klimatiasë dhe të manastirit të Eleusës në ishullin e Janinës, duke ndjekur në organizim parimet e përgjithshme të rrymës artistike të Shkollës së Greqisë Veriperëndimore, me pikë referimi manastirin e Shën Nikollës të Filantropinëve. Gjithashtu, në detaje të veçanta ikonografike vihen re ndikime nga piktura perëndimore, nga piktura bashkëkohore dhe e mëhershme e Italisë, Evropës Qendrore dhe e Rilindjes së hershme.
Piktura murale karakterizohet nga një prirje e theksuar narrative, paraqitja figurative e ngjarjeve, dramatizmi dhe intensiteti në skena dhe shfaqja e figurave njerëzore si rregull me përmasa harmonike.
Ikonostasi i sotëm prej druri dhe ikonat që e zbukurojnë atë janë të një periudhe më te re. Ikonostasi i hershëm nuk është ruajtur, ndërkaq kanë shpëtuar nga ai, në gjendje të mirë, tri ikona: ajo e Krishtit Pantokrator, e Virgjëreshës Odhigjitria (Udhërrëfyesja) dhe e Metamorfozës së Shpëtimtarit. Stili i tyre artistik tregon se dy të parat janë pikturuar nga i njëjti piktor, ndërsa ikona e tretë është vepër e një piktori tjetër. Nga ikonostasi i vjetër ruhen, gjithashtu, kanatet e Derës së Bukur me skenën e Ungjillëzimit të Hyjlindëses, brezi i sipërm i Apostujve me ikonën e Deisis (Lutja) në qendër dhe nga të dyja anët ikonat me figura të plota të Apostujve, vepra të cilat duhet t’i atribuohen të gjitha një atelieje piktorësh lokalë të gjysmës së dytë të shek. XVI.