Manastiri i hirshëm i Hyjlindëses, Çukë, Elliniko

Greece

Προτεινόμενοι Προορισμοί:

Eleni Mihu, arkeologe

Manastiri i hirshëm i Çukës, kushtuar Lindjes së Hyjlindëses Mari, ngrihet në kodrën me të njëjtin emër, 760 m mbi nivelin e detit, pranë fshatit Elliniko të bashkisë së Xhumerkës Veriore. Emërtimi rrjedh nga maja e kodrës së pyllëzuar, në vllahisht “Çuka Analta”, që do të thotë “majë e lartë”. Kodra është lehtësisht e arritshme nga fshati Elliniko, ndërsa në anën lindore është rrëpirë dhe formon shpatin e djathtë të thepisur të grykës së Arahthos. Manastriri, që ndodhet në buzë të rrëpirës, dominon zonën dhe shihet nga të gjitha anët. Ai ka pamje të mrekullueshme drejt grykës së Arahthos dhe të fshatrave përballë, Peristerit dhe Xhumerkës.
Sipas traditës, një ikonë e Virgjëreshës Mari u gjet në kodrën e Çukës dhe për nder të saj banorët e Elliniko-s ndërtuan një kishëz në kodrën e Shën Marinës, mbi fshat. Ndërkaq, ikona largohej çdo natë për në kodrën e Çukës, duke treguar vendin ku dëshironte të ndërtohej kisha e saj. Përsëri, sipas traditës, manastiri u themelua në vitin 1190 nga perandori Isaku II Angjeli (1185-1195) dhe lulëzoi gjatë kohës së Despotatit të Epirit. U shkatërrua në vitin 1736 dhe u rinovua në vitin 1779 dhe më pas u bë një qendër fetare dhe kombëtare helene, pasi gjatë revolucionit grek të vitit 1821 dhe në të gjitha betejat kombëtare helene, ai ishte kthyer në strehë të revolucionarëve grekë. Manastiri siguroi të ardhura dhe mirëmbante shkollën e fshatit Elliniko. Ai gjithashtu gëzonte famë të madhe, falë burimit të ujit, i cili konsiderohej shërues dhe ishte i kërkuar në të gjithë Epirin. Panairi i manastirit kremtohej më 8 shtator, ishte i famshëm dhe mblidhte shumë njerëz, mes tyre dhe shumë të sëmurë që kërkonin shërim. Pas fillimit të shek. XIX, menaxhimi i keq e çoi manastirin në rënie. Për shumë vjet mbeti i braktisur, derisa u rehabilitua në fund të viteve 1990, kur qelitë dhe objektet ndihmëse të tij u restauruan.
Manastiri ka karakter fortese dhe është i rrethuar me mure të larta. Hyrja e manastirit është zbukuruar me gdhendje në gur. Përveç katholikonit, ai përbëhet nga një numër ndërtesash të tjera, si konakët, cisterna dhe kulla e kambanores. Konakët dykatësh të qelive janë vendosur në anën jugperëndimore dhe veriore të kompleksit dhe pjesa më të madhe e tyre është ndërtuar në shek. XVIII-XIX. Cisterna me mbulesën e saj ndodhet në anën jugperëndimore të katholikonit dhe kambanorja e ndërtuar me gurë daton në vitin 1866, sipas mbishkrimit të saj. Në anën jugore të manastirit, afër hyrjes lindore, ndodhet kisha e së Tërëshenjtës, e cila ka pësuar dëmtime të konsiderueshme nga zjarri.
Katholikoni, i ndërtuar me gurë të bardhë të latuar, ndodhet në qendër të kompleksit dhe me gjasë daton në fund të shek. XVII. Kisha është njënefëshe, e tipit kryq i brendashkruar, me portik me dy kolona në hyrjen e saj. Interieri i kishës është dekoruar me pikturë murale. Mbishkrimi mbi hyrjen perëndimore, i cili sot nuk dallohet, na njofton se piktura murale e kishës është realizuar me shpenzimet e ktitorit Aleksios Papajoanu dhe se ikonostasi i gdhendur në dru i kishës, i shquar për dekorimin e imët të luleve, është praruar më 3 tetor 1779 nga piktori kapesovit Athanasi, i biri i piktorit të njohur kapesovit Joani, me shpenzimet e manastirit, në kohën kur ishte igumen Gabrieli.
Sot kompleksi funksionon si manastir burrash. Çdo të kremte, më 8 shtator, organizohet një panair i ndritur, në të cilin mblidhet një numër i madh pelegrinësh.

GALLERY


ACCESS MAP

Click to listen highlighted text!