Kisha Mitropolitane e Metamorfozes se Shpetimtarit Krisht,Gjirokaster

Albania

Προτεινόμενοι Προορισμοί:

Kisha e Metamorfozës së Shpëtimtarit ndodhet në qendër të lagjes historike “Pazari i Vjetër”, në Gjirokastër. Kisha ka qenë pjesë e një sistemi arkitektonik më kompleks, i zhvilluar si vazhdim i pjesës lindore të Kalasë. Bëhet fjalë për një fortesë të ngritur mbi kodrën që dominon fushën e Drinos në perëndim, pjesët arkitektonike të së cilës datojnë para shek. XII. Në kishën e Metamorfozës të çojnë rrugët e ngushta me kalldrëm, njëra prej të cilave zbret pothuajse vertikalisht nga kalaja, ndërsa tjetra fillon nga sheshi kryesor.
Rrënojat e ndërtesave të kishës, që janë të dukshme edhe sot, janë tregues për strukturën dhe funksionet fillestare që kishte kompleksi. Ato dëshmojnë për zhvillimin e një veprimtarie të shumanshme, e cila ka të ngjarë të përfshinte shërbime më të gjera administrative, arsimore etj., jo vetëm për nevojat e selisë së Mitropolisë, por edhe të të gjithë komunitetit lokal. Kështu, mbetjet e një rezervuari të madh uji të ndërtuar me gurë, madhësia e të cilit është mbresëlënëse, është një nga elementet që pohojnë sa më sipër. Për më tepër, në burimet e shkruara, kishtare dhe laike, ruhen informacione të shumta që flasin për rëndësinë dhe jetën intensive shpirtërore, arsimore dhe shoqërore. Të tillë janë kodikët e shpëtuar të Mitropolisë së Drinopojës dhe Gjirokastrës si dhe shënimet e udhëtarëve të shquar, si ai i gazetarit francez Rene Puaux, i cili kishte qëndruar në kishë gjatë Luftërave Ballkanike.
Për dokumentimin e mëtejshëm të kishës, por edhe për studimet e përgjithshme historike, një rëndësi të veçantë kanë mbishkrimet që gjenden si brenda kishës, ashtu edhe në pllakat e murosura jashtë saj. Në faqen e murit perëndimor të kishës ndodhet një mbishkrim, sipas të cilit kisha është ndërtuar në vitin 1776, me iniciativën e episkopit të atëhershëm të Drinopojës dhe Gjirokastrës, z. Dosithe; në të njëjtën kohë, në këtë qytet ekzistonte dhe kisha e Taksiarkëve.
Megjithatë, ekzistenca e një tempulli adhurimi në këtë vend, nuk nis në shek. XVIII. Gjatë punimeve për rregullimin e oborrit, u identifikuan varre, të cilat, në ndërthurje me burimet e shkruara historike, dëshmojnë për praninë e një kishëze më të hershme në zonë, e cila gjithashtu i kushtohej Shpëtimtarit Krisht. Gjithashtu, në këtë vend ka ekzistuar edhe një kambanore, e cila u shemb në fund të viteve 60-të dhe në fillim të viteve 70-të, si pasojë e rrethanave të veçanta politike që mbizotëronin atë kohë në Shqipëri. Pas ndryshimeve politike të viteve 90-të, me nisma private, u synua restaurimi i kambanores, sipas fotografive të ruajtura. Por kjo përpjekje nuk rezultoi e suksesshme qoftë për nga materialet e përdorura, qoftë për sa i përket teknikës së zbatuar.

Në gjendjen e sotme, kisha është një bazilikë masive guri, me tri nefe. Në muraturën e jashtme dallohen qartë fazat e ndryshme të ndërtimit, të cilat përfshijnë fazën fillestare, si dhe shtesat pasuese dhe ndërhyrjet e restaurimit, të dukshme kryesisht nga ana jugore e kishës. Gjithashtu, interesante janë elementet arkitektonike në portën perëndimore, që dëshmojnë për komunikimin e kishës me shtëpitë e lagjes përmes një shkalle që të nxirrte jashtë nga gjinekoniti.
Në pjesën e brendshme, kisha është e ndarë në nefe, përmes një kolonade të dyfishtë në të dyja anët gjatësore të nefit qendror, me çifte kolonash përkatësisht në skajet perëndimore dhe lindore. Kolonat përfundojnë me harqe të larta dhe madhështore, duke e sjellë kështu boshtin horizontal të kishës në harmoni me atë vertikal. Në absidat e Hijerores vërehet shtimi i elementeve dekorative prej guri, të tilla si shirita, korniza, harqe të gdhendura, por edhe dekore të kufizuara në reliev. Relieve të ngjashme në gur janë realizuar në murin jugor, pranë hyrjes kryesore të kishës.

Hijerorja është pjesërisht e pikturuar me afreske të cilat, si në absidën qendrore, ashtu edhe në dy absidat anësore, paraqesin dëmtime të pjesshme. Një interes të veçantë paraqet sinteza e programit ikonografik, pasi në të përfshihen shenjtorë që nuk ndeshen shpesh në kishat e zonës. Sipas mbishkrimeve të ruajtura, piktura murale e kësaj pjese u realizua rreth vitit 1860, gjatë kohës kur ishte Mitropolit zoti Pandelejmon. Emri i piktorit nuk përmendet në mbishkrim.
Ndër objektet me vlerë, që ruhen në interierin e kishës, janë ikonostasi dhe froni i dhespotit. Ikonostasi është i gdhendur në dru dhe përmban elemente dekorative të ndërlikuara në reliev, me tema dhe motive interesante. Në gjendje shumë të mirë ruhet edhe froni i dhespotit, i realizuar me teknikë dhe sintezë të ngjashme dekorative.
Për shkak të problemeve të shumta, me nismën dhe kujdesin e Mitropolitit të Gjirokastrës, Hirësi Dhimitrit, në vitin 2011 u realizua konsolidimi dhe restaurimi i pikturës murale. Gjatë ndërhyrjeve të viteve të fundit, u zëvendësua dyshemeja e gjinekonitit të kishës dhe shkalla e hyrjes në të.

GALLERY


ACCESS MAP

Click to listen highlighted text!