Kisha e Shen Kollit(Nikolles), Voskopoje

Albania

Προτεινόμενοι Προορισμοί:

Voskopoja është një qendër e rëndësishme historike, kulturore dhe turistike. Shquhet për monumentet e saj arkitekturore, peizazhin piktoresk dhe klimën e jashtëzakonshme. Ndodhet në një pllajë, rreth 1200 m mbi nivelin e detit, midis maleve të Oparit dhe Ostrovicës. Në lindje, kodrat zbresin butë dhe formojnë një luginë, e cila është hyrja e vetme natyrore për në Voskopojë. Vendi është i pasur me pyje, kullota dhe burime ujore.
E themeluar që në shek. XIV, Voskopoja përjetoi në fillim të shek. XVIII një zhvillim të mahnitshëm ekonomik dhe shpirtëror. Akademia e Re (1744), Biblioteka dhe Shtypshkronja e saj, e para në Ballkan, fituan një reputacion të madh. Ky institucion arsimor kontribuoi në përhapjen e arsimit dhe në formimin e një lëvizjeje të gjallë intelektuale. Në atë periudhë Voskopoja numëronte njëzet e dy kisha, të cilat dalloheshin për ikonostaset e tyre të praruara me gdhendje në dru, amvonët dhe fronet despotike të gdhendura në dru, hapësirat e zbukuruara të psaltëve dhe për pikturën komplekse murale, elemente këto që i jenin madhështi të padiskutueshme dhe njëkohësisht reflektonin pasurinë dhe fuqinë e qytetit.
Deri në vitin 1670, Voskopoja varej drejtpërdrejt nga Kryepiskopata e Ohrit, më pas ajo hyri nën juridiksionin kishtar të Mitropolisë së Korçës. Në fillim të shek. XVIII, qyteti kishte katërmbëdhjetë lagje dhe shtrihej në një sipërfaqe prej 1800 hektarësh. Komplekset e institucioneve fetare përbënin bërthamën e lagjeve.
Pavarësisht nga lulëzimi i saj, shoqëria e Voskopojës nuk mundi të reagonte ndaj shkatërrimeve të viteve 1769, 1772 dhe 1780 dhe, si rrjedhim, nuk arriti të rifitonte nivelin e zhvillimit që kishte më parë. Qindra familje voskopojare u detyruan të emigronin në Korçë, Janinë, Manastir, Ohër, Budapest, Vjenë dhe qendrat e tjera urbane.

Kisha e Shën Kollit (Nikollës) është një nga kishat më të mrekullueshme të Voskopojës. U ndërtua në vitin 1721 në lagjen “Rue”. Nga ana arkitektonike, i përket tipit bazilikal me tri nefe, me përmasa të brendshme 19.7 x 11 m. Përbëhet nga naosi, narteksi dhe hajati në anën jugore. Narteksi, me formë trapezoidale, ka në pjesën qendrore një seri kolonash, të cilat lidhen me njëra-tjetrën dhe me muret perimetrike me anën e një sistemi harqesh, duke formuar ndarje drejtkëndëshe që mbulohen me qemerë gjysmë cilindrikë. Hajati, i cili shtrihet në të gjithë anën jugore të kishës, është i hapur dhe mbështetet mbi një harkadë kolonash të ulëta prej guri. Kulla e kambanores ngrihet në anën juglindore, mbi portën hyrëse të oborrit të kishës. Në oborrin e kishës ekzistonin edhe ndërtesa të tjera, si kisha e Shën Efthimit dhe qelitë që i shërbenin nevojave të manastirit, të cilat u shkatërruan nga zjarri i madh që ra në vitin 1916.
Muratura e kishës është ndërtuar me kujdes, me gurë të latuar të lidhur me suva dhe me fugatura elegante. Sipërfaqja e sheshtë e muraturës theksohet në anën lindore nga harkadat e verbra të absidës, kulmi i sipërm i të cilave përshkohet nga një kornizë dekorative me tulla në trajtën e kurrizit të peshkut. Ndryshe nga kisha, muratura e hajatit paraqet një dekorim të pasur, të realizuar përmes kombinimit të tullave dhe gurëve dhe të përdorimit të motiveve të larmishme, kornizave dhe shiritave.
Sipas mbishkrimeve ktitorike, kisha është pikturuar në vitin 1726 nga David Selenica, me ndihmën e Kostandinit dhe Kristos. David Selenica është i njohur për veprimtarinë e tij në Malin Athos, Kostur, Selanik e gjetkë. Hajati është pikturuar në vitin 1750 nga vëllezërit korçarë Kostandin dhe Athanas, të cilët, për shkak të profesionit të tyre, morën mbiemrin Zografi. Gjatë dyzet viteve të veprimtarisë së tyre, vëllezërit Zografi fituan reputacion të madh, gjë që dëshmohet edhe nga fakti se ata u thirrën për të pikturuar disa prej monumenteve më të rëndësishme të kohës së tyre.
Në të djathtë të hyrjes jugore ruhet e pikturuar skena e dhurimit të kishës, ku ndërtuesi voskopojar Haxhi Jorgji ia ofron kishën Shën Nikollës që qëndron në fron, teksa mbishkrimi shkruan “Zot, desha të ndenjurit e shtëpisë sate, dhe mos e humb shpirtin tim bashkë me të pabesët”. Faza e parë e pikturimit të kishës u realizua në kohën kur Kryepiskop i Ohrit dhe njëherësh Mitropolit i Korçës ishte Joasafi, një hierark i shquar dhe i ditur nga Korça. Faza e dytë u përfundua në kohën e Mitropolitit të Korçës, Nikiforit.
Ikonostasi i gdhendur në dru, i kishës së Shën Kollit të Voskopojës, ruhet sot në kishën homonime të fshatit Vlasti, në prefekturën e Kozanit. Thuhet se ai u transportua në zonë, pas shkatërrimit të qytetit, në vitin 1769, nga prifti Jorgji Sina.

GALLERY


ACCESS MAP

Click to listen highlighted text!